Gjenerik apo patentë, duhet parë rast pas rasti.


Nga Prof. Dr.Edmond Kapedani, Shef i shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare QSUT.
Intervistoi: Sonila Isaku.

edmond_kapedaniBarna gjenerikë apo patentë? Për mua personalisht, ka ilaçe të cilat detyrimisht duhet të jenë patentë, nga firma ku prodhohen. Ilaçet e tumoreve, është absolutisht e nevojshme të merren nga ajo firmë prodhuese që dominon tregun dhe shërbimeve botërore. Në qoftë se do ti shmangemi këtij parimi, atëherë ka edhe komercializëm, ka edhe pasiguri, ka firma fantazma të cilët nuk të japin garancinë e duhur.

Nuk mundet që ilaçi patentë që përdor unë në shërbimin tim, i cili vjen nga laboratorë të posaçëm, të jetë i njëjtë me “imitimet”, pasi ky ilaç që mora shembull është nga më të përdorurit në Evropë dhe Amerikë. Ndërkohë, imitime të këtij bari unë shoh që vijnë nga Turqia, India, dhe unë nuk mund të marr garanci për atë lloj ilaçi që as e kam parë me sy dhe as e kam lexuar nëpër libra.

Po marr një shembull, shumë mirë mjekohesh me “penicilinën kineze”. Pse? Sepse nuk ka më sekret në prodhimin e saj, penicilina është bërë industri masive dhe nuk është më sekret shtetëror industrial siç ishte në vitet ’60. Por, ka ilaçe të cilat janë shumë specifike për degë të veçanta të mjekësisë që je i detyruar të shkosh tek firma që i prodhon. Pra nuk mund të themi që nuk bën gjeneriku, apo nuk bën patenta. Ai që e thotë këtë bën gabim. Sa i takon preferencës për të përshkruar një bar patentë, them se kjo bëhet nga halli! Tensioni sot ka 20 ilaçe, por çdo bar ka veprimin specifik të tij, dikujt i jep efekt dhe dikujt jo.

Kemi raste që ilaçi më i shtrenjtë e bën efektin tamam, që kompenson 6 kokrra të tjera që mund të marrësh. Kjo të detyron ty si mjek që të japësh barin që duhet. Kur mjeku sheh te pacienti që tensioni nuk ka ndryshime për një kohë të gjatë me barnat që po përdoren, atëherë përshkruhet bari që jep efekt. Pra kjo varet nga profesionalizmi i mjekut, varet dhe nga ndërgjegjia e tij. Mjeku nuk duhet ta shohë ilaçin si karamele, por duhet ta shohë si helm dhe do të zgjedhë atë ilaç që pacientit i rikuperon gjwndjen dhe që ka sa më pak efekte anësore. Pra e thënë përmbledhtazi, është aftësia profesionale dhe përkushtimi i mjekut që merret me trajtimin e pacientit, që përcakton barin e nevojshëm për çdo rast.

Nuk kemi filtra për barnat gjenerike.


Nga: Prof. dr. Mentor Petrela, Shef i shërbimit të Neurokirurgjisë, QSUT.
Intervistoi : Alma Demiraj, Gazetare Top Channel.

mentor_petrelaTendenca sot në Botë është që në shëndetësi të bëhet sa më tepër ekonomi. Vetë vendet e Bashkimit Evropian, prej vitesh kanë marrë masat për t’i dhënë prioritet futjes së barnave gjenerike. Duke bërë këtë, kanë reduktuar buxhetet si në Francë, Gjermani , Hollandë në 30 %, diku edhe deri në 40% , pra konsiderueshëm. I sëmuri vihet përballë alternativës që duhet të zgjedhë , por natyrisht me kontributin e xhepit të vet, në qoftë se do të shkojë drejt patentës apo do të marrë gjenerikun. Pra mjeku sot në vendet që po flas, nuk është I detyruar të shkruajë bar gjenerik. Nëse dikush pretendon se do markën, duhet të paguajë për markën. Kjo është sot ajo që ndodh në vendet e komunitetit europian.

Përse një situatë e tillë nuk përkthehet në vendin tonë? Sepse ne kemi probleme në cilësinë e preparateve që hidhen në treg. Natyrisht, kalimi nga më shumë barna patentë te gjeneriket, mund të bëhet në qoftë se do të kemi garanci të cilësisë së barnave, sepse e gjithë loja këtu do të jetë. Sa do të jemi seriozë? Duhet edhe të bëjmë ekonomi, por edhe përsa i përket kontrollit, duhet të jemi rigorozë. Kompanitë që janë të regjistruara, -flasim për kompani të mëdha europiane, – kanë standardet e tyre dhe ne e kemi vënë re këtë. Standarti i tyre ka qenë solid, por në një pjesë tjetër pastaj, ka pasur abuzime. (nuk flas për kompani të mëdha sepse ne nuk jemi treg aq i madh dhe ato nuk kanë interes, por pjesa tjetër pastaj ka patur abuzime).

Por më lejoni të sqaroj se, kjo nuk do të thotë që gjenerikët janë më pak efikase, madje gjyqe të tilla ndërkombëtare janë fituar në Indi me kompani shumë të mëdha (nuk po flas me emra sepse futemi në konflikt interesi pastaj). Duhet thënë se bari gjenerik serioz është njëlloj si “brand name”, POR për shoqëri dhe sisteme të kontrollueshme. A kemi ne një sistem kontrolli të tillë? Nuk e kemi! Këtë duhet ta shikojë administrata, sepse ne kemi një të keqe të madhe, kemi ligje të mira..në letër! Se për shembull, ne kemi ligje si ai i ndalimit të duhanit dhe çfarë ndodh? Duhani fillon që nga parlamenti dhe mbaron te të gjitha kafenetë. Kur një shoqëri nuk respekton ligjet e veta, atëhere përse janë ligjet? Pra edhe ekonomi duhet bërë, por jo në kurriz të cilësisë! Këtë balancë duhet ta mbajë në kontroll Ministria e Shëndetësisë.

Gjenerikët, të sigurtë dhe efektivë.


Nga: Prof.dr. Myftar Barbullushi, Shërbimi i Nefrologjisë, QSUT.
Intervistoi: Sonila Mlloja Cemurati

myftar_barbullushiMë vjen mirë që për herë të parë në Shqipëri, paska filluar dhe një betejë qytetarije mbi vendin e barnave gjenerike në mozaikun e industrisë farmaceutike, betejë kjo e kahershme në vendet e zhvilluara, e cila tashmë i konsideron këto barna si salvavita për Shërbimet Shëndetësore Kombëtare të këtyre vendeve. Qëndrimi im? Jo vetëm qëndrimi im, por edhe i çdo mjeku, duhet të mbështetet mbi evidenca dhe fakte dhe jo në perceptime apo interesa. Nëse 60- 80% e barnave të përshkruar në vendet e zhvilluara, sidomos këto vitet e fundit, janë gjenerike, konfirmohet kursi i politikave të këtyre vendeve, në drejtim të barnave gjenerike, kurs ky, që duhet të përshkojë të gjithë politikën tonë të barnave, edhe pse nuk duket të jetë e lehtë, pasi, me gjithë sigurinë, efikasitetin dhe përparësitë ekonomike që barnat ekuivalente ofrojnë, në vendin tonë ekziston akoma njw mosbesim ndaj tyre, e ushqyer natyrisht nga ata që i’u preket fitimi me futjen e barnave origjinare. Futja e barnave gjenerike si përzgjedhje e parë, kushtëzon farmaceutikën të ulë çmimet dhe kuotat në treg, farmacistët fitimet e tyre, ne mjeket bonuset, ndërsa ju tw shtypit titujt bombastikw mbi “rrezikun e shqiptarwve nga barnat gjenerike” a thua se amerikanwt apo europianwt qw i konsumojnw janë qytetarë të kategorisë së dytë, reagim ky që mbështetet edhe në mungesën e informacioneve mbi cilesinë dhe eficiencën e barnave bioekuivalente.

Sa i takon cilësisë, laboratoret e prodhimit dhe të kontrollit të barnave si dhe eksperiencat e vendeve të zhvilluara, pjesë e realitetit të barnave gjenerike mbi të cilin na takon edhe ne të jemi pjesw, emetojnë argumente të pakundërshtueshme mbi efektivitetin dhe sigurinë e kësaj klase barnash. Por mbi të gjitha, i pakundërshtueshëm dhe vendimtar është opinioni i FDA karshi barnave gjenerike, shprehur e zeza mbi të bardhë, në maj të këtij viti: Barnat gjenerike janë të sigurtë dhe efektivë.

Por, duhet theksuar se tregu farmaceutik është një nga tregjet që kërkon një trajtim realisht të veçantë. Ai kërkon liri, frymëmarrje dhe në të njëjtën kohë, kontroll absolut, pasi në mungesë të këtyre elementwve, ai kthehet nga i dobishëm në toksik, nga vlerë, jo në antivlerë, por në dëm, nga shëndet në vdekje! Në këtë kuadër, liria e barnave ekuivalente duhet dhe është shoqëruar me nje kontroll të rreptë per shmangjen e abuzimeve, të cilat janë një rrezik konstant, jo thjesht për barnat gjenerike apo patentë, por, për të gjitha fushat e zbulimit dhe shitjes së barnave në të gjithë Botën. Në erën e re të barnave, sidomos atyre gjenerike, përfitimi në ekonomi që ato ofrojnë, nën ombrellën e një cilësie dhe sigurie tashmë të padiskutueshme, duhet shoqëruar me një kuadwr garantues ligjor, konform standarteve europiane.