VËZHGIMI: Rreziku nga rrezatimi, kabinetet radiologjike nëpër pallate.


Edhe pse është në fuqi një urdhër i vitit 2011 i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ndalon krijimin këtyre kabineteve brenda pallateve, ato lehtësisht i gjen në hyrje pallatesh duke përbërë rrezik serioz për shëndetin e banorëve
Nga Sonila Isaku.

fotiNëse fqinj juaj ka vendosur që hyrjen e apartamentit mund ta lëshojë me qera, ai mund të kthehet në një zyrë biznesi, qendër estetike, zyrë avokatie, klinikë dentare por më e keqja është se aty mund të ngrihet edhe një kabinet radiologjie për tu kryer të gjitha grafitë apo ekzaminimet e tjera. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë për personin apo familjen e cila banon pranë kësaj qendre radiologjike kërcënimi i shëndetit nga rrezatimi do të ishte serioz.

Ndonëse sot ekziston një urdhër i dalë vite më parë, i cili ndalon hapjen e këtyre “bizneseve” në hyrje pallatesh, në një vëzhgim të bërë në kryeqytet “Dua Shëndet” gjeti me dhjetra kabinete radiologjike, të cilat ofronin shërbime si në katet e para të pallateve, ashtu edhe në brendësi të tyre. Për banorët e pallateve rreziku është dyfish, pasi, përveç faktit se çdokush mund të hyjë në pallat (sepse në fund të fundit është pacient) një tjetër rrezik shfaqet për ta. Kjo pasi, këto kabinete mjekësore ofrojnë edhe shërbime, të cilat janë të ndaluara me ligj për shkak të rrezatimit jonizues që mund të lëshojnë pajisjet me të cilat kryhen.

Bëhet fjalë për grafitë dentare, skanerët apo mamografitë, të cilat për shkak të dëmeve që mund të shkaktojnë në shëndet janë të ndaluara të ofrohen nëpër ambiente me destinacion banimi. Ky rrezik është parashikuar në një urdhër të ish-ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili. Urdhri Nr. 415, që mban datën 11.10.2011 përcakton edhe shërbimet radiologjike që nuk mund të ofrohen në këto kabinete. “Ndalohet ndërtimi i kabineteve të radiologjisë (Grafi, Skopi, CT-Skaner, Mamografi, Grafi dentare, Panorameks si dhe pajisje me rreze X) në ambiente me destinacion banimi në godina publike banimi”, – thuhet në urdhrin e ish-ministrit.

Gjithashtu,  urdhri ndalon ndërtimin e kabineteve për ushtrim aktiviteti me burime radioaktive të hapura dhe të mbyllura në ambiente me destinacion banimi në godina publike banimi, ndërkohë që ndërtimi i kabineteve për veprimtari me burime të rrezatimit jonizues (gjeneratorë me reze x) bëhet në godinat e dedikuara për ushtrim aktiviteti me destinacion të ndryshëm nga banimi. Por në rastet kur ky kabinet do të ndërtohet në godina banimi, sipas urdhrit të 2011, fqinji i cili është në kufi me ambientin është vendimmarrës nëse ky kabinet do të ndërtohet ose jo.

Kjo pikë është parashikuar për vetë faktin se personat të cilët do të jetojnë pranë këtyre ambienteve  të marrin parasysh edhe rrezikun e rrezatimit. Sipas specialistëve, rreziku i rrezatimit jonizues është i madh kur edhe dozat e tij janë shumë të larta. Në rastet se konstatohet se këto doza janë të larta personi i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë nga rrezatimi jonizues rrezikohet të preket nga sëmundje të rënda, deri tek ato tumorale.

Por, sa të informuar ndaj këtij rreziku janë qytetarët të cilët jetojnë në këto pallate? Shumë prej tyre nuk kishin asnjë informacion mbi rrezikun ndërkohë që shumë të tjerë pohuan se ata vënë në djeni për hapjen e kabinetit vetëm më momentin që biznesit i është vendosur tabela. “Në fillim nisa të interesohesha se çfarë biznesi po hapej, pasi pashë që hynin shumë aparatura. Por mora vetëm një përgjigje nga pronarët të cilët më pohuan se kishin marrë të gjitha masat mbrojtëse.

Nuk e kuptova se përse duheshin këto masa mbrojtëse, por në momentin që u vendos tabela e aktivitetit atëherë arrita të kuptoj se për çfarë bëhet fjalë. Shpresoj që mos na shfaqet ndonjë sëmundje”, pohon Floreta Mema, banore e kryeqytetit, pranë Tiranës së Re. E ndërsa qytetarët nuk kanë informacion mbi rrezikun që u kanoset nga rrezatimi, e ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një urdhër i cili i ndalon këto biznese të funksionojnë në godina banimi, mbi cilin ligj këto kabinete radiologjke kryejnë funksionin e tyre?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s