Urgjencat dentare, 20 raste në ditë.


Mjekët e shkollave vetëm rol këshillues dhe kontrollues.
Nga Sonila Isaku

Nëse fëmija juaj do të ketë probleme me dhëmbët, ato mund edhe t’i kuroni falas në kryeqytet pasi ekziston i vetmi shërbim publik stomatologjik. Shumë prej prindërve në raste të urgjencave i drejtohen klinikave private të cilat kryesisht punojnë gjatë orëve të paradites, ndërkohë kur dhimbjet janë gjatë orëve të vona të pasdites apo natën mundohen të qetësojnë fëmijët e tyre nëpërmjet medikamenteve për të pritur ditën tjetër. Por, nëse vuajtjet e fëmijëve janë nga mëngjesi e deri në orën 20.00 të mbrëmjes mund të merrni shërbimin dentar falas në Klinikën e Urgjencës Stomatologjike në Tiranë, pranë Bulevardit “Zogu i Parë”.  Një prej prindërve që i është drejtuar klinikës Stomatologjike është edhe Migena e cila tregon se pas një nate stresuese me vajzën e saj, duhet të kryejë mjekimin e nevojshëm. “Vajza ime ka gjithmonë probleme me dhëmbët dhe jam e detyruar që herë pas here të drejtohem te mjeku. Fillimisht rendja pas klinikave private por tashmë vij pranë urgjencës pasi marr të njëjtin shërbim edhe pa pagesë, duke pasur parasysh se vajza ka edhe në dhëmbët e qumështit” pohon Migena Kollçinaku.  Por, kjo urgjencë është e vetmja që ofron shërbimin dentar publik në kryeqytet, pasi ai ofrohet edhe në 3 pika të tjera, pikërisht pranë poliklinikave.

Shërbimi 

Fëmijët dhe të moshuarit  janë frekuentuesit e rregullt të Klinikës së Urgjencës Stomatologjike në Tiranë të cilët e përfitojnë këtë shërbim falas. “Mesatarisht kemi deri në 20 urgjenca në ditë. Pacientet dominues janë fëmijët të cilët paraqiten me dhimbje për shkak të dhëmbëve të qumështit të cilët iu janë prishur gjatë viteve të para të jetës, por nuk mungojnë as rastet e të moshuarve që vijnë për mjekime urgjente” pohon mjekja Ranjela Muja.  Sipas saj, në qendrën e Urgjencave ofrohet edhe shërbimi i mbushjes së dhëmbëve tek fëmijët, por ky shërbim kërkohet më pak dhe në disa raste hasen mungesa të materialeve dentare.

Shkollat

E ndërsa e pyes se përse fëmijët nuk e marrin këtë shërbim në shkolla, mjekja më tregon se në të shumtën e shkollave, stomatologët kryejnë rol edukues dhe jo mjekues. “Fëmijët që paraqiten kryesisht ose vijnë me dhimbje për shkak të urgjencave, por edhe të rekomanduar nga mjekët e shkollave. Kjo pasi në shumicën e shkollave mungojnë kabinetet dentare dhe stomatologët aty kanë vetëm rol këshillimor dhe kontrollues”, pohon mjekja Muja. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Shëndetësor Rajonal në Tiranë, i cili ka në varësi stomatologët e shkollave dhe urgjencën stomatologjike, nga 60 që kanë të punësuar stomatolog vetëm 33 prej tyre mund të ofrohet shërbimin dentar tek nxënësit, kurse tek të tjerat mungojnë aparaturat. Te këto shkolla ku mungojnë aparaturat, stomatologët kryejnë vetëm rolin e promocionit profilaktik, duke u shpjeguar fëmijëve nga mënyra se si duhet të lahen dhëmbët, ndryshimi i furçave, pasta e dhëmbëve e deri tek detaje të tilla se kur bien dhëmbët e qumështit dhe zëvendësohen me ato të përjetshëm. Nga këto 33 shkolla ku ofrohet shërbimi dentar publik, 3 prej tyre janë në fshatrat në periferi të Tiranës si në Bathore, Paskuqan e Kamëz.

E ndërsa në çdo shkollë është punësuar një stomatolog, i cili kontrollon ose këshillon një numër të kufizuar fëmijësh, në Qendrën e Urgjencës Stomatologjie punojnë vetëm 4 mjekë dhe në infermiere me një shërbim prej 12 orësh gjatë gjithë ditës dhe 6 ditë përgjatë javës duke u përgjigjur urgjencave të mijëra pacientëve gjatë vitit.

Shifra dhe fakte
80 stomatologë janë të punësuar në shërbimin publik në Tiranë
4 urgjenca stomatologjike ofrojnë shërbim dentar në kryeqytet
60 shkolla të Tiranës kanë të punësuar një stomatolog
33 shkolla ofrojnë shërbim dentar, kurse të tjerat kanë mungesë të aparaturave
3 prej shkollave që ofrojnë shërbim janë në fshatrat përreth si Kamëz, Bathore e Paskuqan.

 

 

 

 

 

STUDIMI

12-vjeçarët, 3 dhëmbë të prishur

Studimet e realizuara në vendin tonë tregojnë se një fëmijë 12 vjeçar ka 3.2 dhëmbë të prishur në gojë. Ky fakt pohohet nga Kryetari i Shoqatës Dentare, Dorjan Hysi i cili i referohet një vëzhgimi të bërë vitin e kaluar në vendin tonë. “Një 12 vjeçar i cili në këtë moshë ka dhëmbë të përhershëm, ka mesatarisht në gojë tre dhëmbë të prishur, të hequr ose të mbushur. Prevalenca e fëmijëve të cilët nuk kanë pasur asnjë herë prishje të dhëmbëve është rreth 12 për qind”, pohon Hysi. Sipas tij, sa i përket higjienës së gojës tek fëmijët studimet kanë treguar se rreth 24% e 12 vjeçarëve shkonin tek dentisti një herë në dy vjet apo sa herë kishin dhimbje. Sipas Hysit, pjesa dërrmuese e studimeve është realizuar në Tiranë dhe paraqit gjendjen në kryeqytet, ndërkohë sa i përket rretheve të tjera ai pohon se shifrat janë ende më të larta.