Stomatologjia shërbim privat, asnjë plan për rimbursimin.


RIMBURSIMI
Shërbimi që nuk arriti kurrë të ishte pjesë e një skeme rimbursimi. Flasin ekspertët.

Eksperienca ime me dentistenfoto e shkollës (kush nuk e mban mend dentisten e shkollës!) para viteve ’90 është një eksperiencë tronditëse përsa i takon materialeve, por mbi të gjitha, punimeve pa anestezi. Por me siguri në atë kohë, askush prej nesh nuk ka paguar për atë shërbim e as për materialet të cilat përdoreshin. Pas viteve ’90, me privatizimet e shpejta në Shëndetësi, shërbimi dentar u shndërrua në shërbim thuajse tërësisht privat. Megjithëse skemat e rimbursimit nisën të funksionojnë pas vitit 1994, me krijimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, shërbimi dentar mbeti jashtë.

Me kalimin e viteve, ky shërbim u largua tërësisht nga imazhi ynë i kahershëm – i darave pa anestezi – dhe nisi të mbinte si kërpudhat pas shiut, kudo nëpër kate të para pallatesh, për t’u përmirësuar më pas në pajisje e ambiente. Tentativat ndër vite për ta përfshirë këtë shërbim në një skemë rimbursimi, kanë dështuar. Edhe sot, 24 vjet më vonë, asnjë tentativë serioze nuk ka patur – as nga vetë shoqatat apo grupimet e mjekëve stomatologë- për të futur në shina këtë shërbim të rëndësishëm.

Historia e rimbursimit

Tritan Shehu, ministër i viteve të privatizimeve të para në Shëndetësi shprehet: “Së pari dua të theksoj se procesi privatizimit të farmaceutikës dhe odontiatrisë, së bashku me krijimin e atij mekanizmi sigurimesh me kontribut direkt 3,4% u realizua në vitin 1993. Pra shumë vite më parë, në një realitet krejt tjetër nga sot. Duhet thënë se kushtet finaciare të atëherëshme si dhe gjendja e atij shërbimi nuk e bënin dot të mundur krijimin e skemave të rimbursimit për këtë shërbim. Është shumë negative kur gjërat ngelin të ngrira për kaq kohë në po ato nivele”. Dr. Agron Belishova, një prej themeluesve të skemës së sigurimeve shëndetësore në fillim vitet ’90 gjithashtu pohon se ishte e pamundur të përfshinim në skemë rimbursimi këtë shërbim, për arsye financiare.

“E nisëm skemën me një listë themelore barnash të rimbursueshme dhe me përfshirjen e mjekut të familjes. Shërbimi stomatologjik u la jashtë pasi ishte e pamundur të përballohej financiarisht”, thotë dr. Belishova. Megjithatë asokohe u vendos që parandalimi stomatologjik, pra shërbimi deri në moshën 18 vjeç, të ishte publik dhe të ofrohej në shkolla. “Realisht sot ai sektor parandalimi është akoma publik, por i transformuar tërësisht në formal, larg cilësisë e jo transparent”, thotë z. Shehu. Ai sugjeron eliminimin e këtij sektorit publik  parandalues stomatologjik në shkolla, duke propozuar kontraktimin e privatëve, të cilët të paguhen me fonde publike, për të patur kështu një shërbim funksional.

Plan për rimbursimin e shërbimit?

Shërbimi stomatologjik kushton. Për këtë dakordësohen të gjithë aktorët e sistemit. Por a ka një plan për rimbursimin, qoftë edhe të pjesshëm të këtij shërbimi për popullatën. Zv/ministrja e shëndetësisë znj. Milva Ekonomi shprehet për “Dua Shëndet” se nuk ka një plan të tillë. E ndërsa politikat shëndetësore po shkojnë drejt skemës së mbulimit universal për shërbimet bazë për popullatën, propozimet që vijnë nga grupet e interesit flasin për një rritje të kontributit për shëndetin, në rast se do shihet e arsyeshme përfshirja e këtij shërbimi në skemën e rimbursimit.

Dorian Hysi, drejtuesi i Shoqatës së Stomatologëve shprehet: “Shërbimet stomatologjike janë shërbime  të shtrenjta dhe në qoftë se do të pwrfshihej nw skemw, do tw duhej tw rritej pagesa e kontributeve shëndetësore që paguan individi. Nëse sot nga pagesa sot mbahet 3.4% , atëherë do të detyrohet të shkojë mbase në 5%  psh. Por duhet thwnw se, rimbursimi stomatologjik, edhe në vende  të tjera që janë më të zhvilluara se ne, mbulon kryesisht shërbimet bazë, që kanë të bëjnë me shërbimet profilaktike, mbushjet e thjeshta dhe nuk mbulohen shërbimet e shtrenjta, siç janë implantet, protetika etj”. Tritan Shehu është më drastik përsa i takon rritjes së kontributeve shëndetësore.

“Duhet shkuar menjëherë tek së paku 7%, për të shkuar më tej në mbi 10% kontribute shëndetësore. Vetëm kështu do të krijojmë mundësinë dhe për zgjerimin e hapësirës së mbulimit të specialiteteve të tjera – një nga më të rëndësishmet dhe urgjentet  është pikërisht futja në skemë e disa procedurave bazë odontiatrike”, thotë z. Shehu. Por pavarësisht modelit të financimit, aktualisht ende nuk ka një plan për përfshirjen në skemë rimbursimi të shërbimit stomatologjik në vend.

Shërbimi publik, çfarë ofrohet nga shteti?

Edhe pse pakkush e di dhe po aq pak i frekuentojnë, sot ka një shërbim publik, i cili vlen për kategori dhe shërbime të caktuara. Zv/ministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi shprehet se aktualisht shërbimi dentar në kuptim e përgjithshëm është shërbim privat dhe si pjesë e shërbimit publik përfitojnë vetëm disa kategori të veçanta. Pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në qarqe funksionon shërbimi stomatologjik publik, i cili në disa raste ka njësi dentare pranë shkollave 9-vjeçare. Këto njësi kryejnë dy herë në vit depistime të shëndetit oral të fëmijëve falas si dhe ofrojnë falas shërbimin e urgjencës, dhe sipas një grafiku të hartuar në bashkëpunim me drejtuesit e DSHP-së, ofrojnë shërbime stomatologjike për fëmijët për të cilat marrin edhe aprovimin e prindërve.

Nga ana tjetër Klinika Stomatologjike Universitare, ofrom shërbime  me çmime të reduktura, në zbatim të sistemit të referimit ardhur nga shërbimi parësor,  ose falas për pacientët që janë shtruar në spital dhe kanë nevojë për këtë ndihmë. Sa i takon urgjencave stomatologjike, zv/ministrja e Shëndetësisë pohon se nuk ka shifra të sakta, por me siguri zgjidhja gjendet masivisht në sektorin privat. “Shërbimi stomotologjik privat ofron gati 95% të vëllimit shëndetësor në këtë fushë ndërsa ai publik 5%. Kjo mund të interpretohet se shërbimi publik nuk mund të trajtojë më shumë se 10% të nevojave të urgjencës stomatologjike”, thotë znj. Ekonomi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s